Skip to main content

Javët e shtatzënisë:

Java 40 e shtatzënisë: Bebja juaj ka arritur peshën e lindjes - por ajo përsëri mund të dëshirojë të rritet edhe më shumë

Në fund të javës së 40-të të shtatzënisë, më në fund është arritur data e lindjes që mjeku juaj ka llogaritur bazuar në periodën tuaj të fundit dhe vlerat e ekografisë. Ndoshta fëmija juaj ka lindur disa ditë më parë ose është akoma ndonjë ditë larg. Pas javës së 38-të konceptimit, shumica e foshnjave janë gati për lindje dhe janë të aftësuara me gjithçka që kanë nevojë për jetë të pavarur në botë. Ju si nënë, nëpërmjet shtatzënisë, keni zhvilluar të gjitha ndjenjat dhe instinktet që janë të domosdoshme për t'u kujdesur për të porsalindurin dhe për ta shoqëruar fëmijën në moshën e rritur.

Gjatësia dhe pesha e foshnjës në javën e 40-të të shtatzënisë

Në javën e 40-të të shtatzënisë, një foshnjë ka gjatësi rreth 50-52 centimetra dhe kështu ka arritur gjatësinë e lindjes. Nëse mund ta imagjinoni se si duket që po e mbani fëmijën tuaj në krahë, merrni me mend sikur po e bartni një kungull dekorativ shumë të madh. Pesha e foshnjës prej rreth 3440 gramë, është po ashtu pesha mesatare e një të porsalinduri.

Zhvillimi i foshnjës

Në javët e fundit, foshnja ka ruajtur aq shumë rezerva yndyre saqë këto tani përbëjnë rreth 15 për qind të peshës së saj trupore. Në javën e 40-të të shtatzënisë, mëlçia e fëmijës gjithashtu gjithnjë e më shumë ruan niseshten nga qarkullimi i gjakut të nënës. Kjo niseshte, pas lindjes, shndërrohet në glukozë nga organizmi i fëmijës. I porsalinduri përfiton nga ky sheqer, i cili më pas kanalizohet në sistemin e qarkullimit të gjakut - derisa nëna të prodhojë qumësht të maturuar të gjirit, rreth tri deri në katër ditë pas lindjes. Glukoza shërben kështu si burimi i parë i të ushqyerit dhe tranzicionit të foshnjës derisa të fillojë periudha e gjidhënies.

Qumështi i parë nga nëna, qumështi i ashtuquajtur paraprak, i siguron të porsalindurit antitrupa të rëndësishëm që përfitojnë nga zhvillimi i sistemit të tij imunitar. Kjo ia mundëson foshnjës ta mbrojë veten nga mikrobet me të cilat përballet jashtë mitrës. Veçanërisht, duhet përmendur këtu ftohjen e zakonshme, me të cilën shpejt, një fëmijë i porsalindur do të bie në kontakt.

Pak para lindjes së tij, fëmija nuk ka më hapësirë në mitrën e nënës. Pra, foshnja qëndron e mbështjell në pozicionin e vet të lindjes me kokën tashmë thellë në legenin e vogël të nënës - dhe pret. Ju do të vini re se bebja juaj, pasi që të ketë lindur, do ta ruaj këtë qëndrim të kruspullosur deri në dy ose në tri javët e para. 

Nëpër çfarë kalon bebja juaj deri sa të lind

Lindja e një fëmije është gjithashtu një proces emocionues dhe rraskapitës. Fillimi i lindjes ka ndodhur tashmë gjatë kontraktimeve ushtruese të javëve të fundit. Bëhet shumë e pakëndshme për beben e vogël kur mitra në fillim ka kontraksione të plota dhe më të gjata dhe më pas në intervale më të shkurtra gjatë hapjes së mitrës për lindje. Këtu, siç duket, bebja ende e palindur masazhohet shumë mirë nga muskujt e mitrës dhe shtyhet më poshtë.

Para se koka, si pjesa më e madhe e fëmijës, të rrëshqasë përmes vagjinës së nënës, fëmija duhet ta tejkalojë një kthesë në kënd të drejtë. Kjo, në të shumtën e rasteve, është pjesa shumë e dhimbshme e lindjes për nënën.

Nëse foshnja e ka tejkaluar këtë procedurë, koka e tij do të shfaqet në daljen vagjinale. Këtu, fontanelet marrin goditjen e parë dhe stimulin për frymëmarrjen e parë të të porsalindurit, atë që mbizotëron në botën e jashtme. Kjo zakonisht shoqërohet me klithmën e parë të fëmijës dhe është e përcjellë me shprehje të frikësuar të fytyrës. Me këtë, pjesa kryesore e lindjes ka mbaruar. Tani supet e foshnjës duhet të dalin, gjë që tani kërkon disa shtërzime apo kontraksione të fuqishme presioni për lindje nga nëna. Pastaj, bebja juaj rrëshqet nga uji si një peshk në këtë botë, duke u kryer lindja plotësisht. Tani, bebja, personi më i dashur për juve, ka nevojë mbi të gjitha për ty!

Kështu ndihet nëna e ardhme në javën e 40-të të shtatzënisë

Në fund të javës së 40-të të shtatzënisë, pritja dhe malli juaj i gjatë për fëmijën po merr fund, sepse tani ka ardhur dita e parashikuar me kalendarin e lindjes së fëmijës tuaj dhe shtatzënia po mbaron.

Me përfundimin e shtatzënisë tuaj, edhe shtimi i vazhdueshëm i peshës mbaron. Pas lindjes, do të shihni që kilogramët tuaj të tepërt bien, për shkak të përpjekjeve të lindjes dhe fillimit të dhënies së gjirit. Kërkesa për energji si nënë e re e bën të mundur heqjen e peshës dhe është një proces i natyrshëm.

Sjelljet e fëmijës tuaj të palindur krahasuar me lëvizjet e tashme të fëmijës mund të jenë shumë të ndryshme. Ose foshnja është shumë aktive me ato pjesë të trupit që nuk janë aq fort të shtrënguara, ose pushon dhe pret që mitra të bëjë diçka gjatë lindjes. 

Dhimbjet e lindjes po ashtu mund të jenë shumë të ndryshme. Në disa periudha të ditës keni ndjenjën se gjërat më në fund po fillojnë, pastaj përsëri nuk vëreni ndonjë kontraksion dhe barku juaj është shumë i qetë. Kjo është sigurisht, qetësi para stuhisë. 

Shenjat dhe simptomat e zakonshme

Gjendje e jashtëzakonshme për trupin

Shenjat në javën e fundit të shtatzënisë, mund të jenë shumë të ndryshme dhe të shpërndara, sepse trupi juaj tani është në gjendje të jashtëzakonshme dhe përpara vetes ka për të bërë angazhim të fuqishëm. Nëpërmjet një kokteji të hormoneve, trupi nxitet të pastrohet edhe një herë. Kjo mund të shfaqet me të përziera, të vjella dhe / ose diarre. Funksioni kryesor i diarresë, është sepse shkakton tkurrjen e zorrëve dhe stimulojnë kontraksionet e lindjes. Kontraktimet e parregullta mund të shkaktojnë edhe diarre që do të thotë se këta dy mekanizma e mbështesin njëri-tjetrin. Dhimbja e kokës, gazrat dhe dhimbja e stomakut, gjithashtu mund të jenë shenja të fillimit të lindjes.

Dhimbjet e shpërndara të barkut

Vetë kontraktimet apo dhimbjet e lindjes, e bëjnë gjendjen që të ndjehen si dhimbje të shpërndara të barkut dhe shfaqje e një tërheqjeje të fortë në bark. Para së gjithash, kjo do të përsëritet në intervale të parregullta për disa orë, derisa kontraktimet më në fund të bëhen më të forta dhe më të rregullta. Në këtë fazë, qafa e mitrës hapet, gjë që mund të shkaktojë gjakderdhje. Në rast të kontraktimeve të rregullta me dhimbje mesatare deri në të rënda, me interval prej rreth pesë minutash, nënat e ardhshme duhet ta informojnë maminë ose t'i drejtohen klinikës.

Përmbledhje e këshillave më të mira

  • Tani duhet të keni gjithmonë telefonin afër me numrat e ruajtur të mamisë tuaj, shoqëruesit tuaj për klinikë dhe numrat e familjarëve.
  • Relaksimi dhe pushimi është veçanërisht i mirëseardhur tani, në mënyrë që të filloni lindjen dhe të lejoni që kontraksionet të bëhen më të forta.
  • Ende mund të hani diçka nëse keni dhimbje të lindjes. Për ta bërë këtë, hani ushqim të lehtë në sasi të vogla dhe mos harroni të pini. Sepse, lindja e foshnjës kërkon shumë energji dhe lëngje - nëse është e nevojshme paketoni diçka të vogël për të ngrënë kur niseni për klinikë.
  • Nëse ndiheni shumë të lodhur midis kontraksioneve, lëreni ato të kalojnë. Ju gjithashtu mund të flini në kohën ndërmjet kontraksioneve. Tingëllon e pabesueshme, por nëse mundeni - bëjeni! Pastaj, trupi rifreskohet dhe krijon forcën e re për kontraksionet tjera.

Pyetjet e mundshme për mjekun ose maminë

Anestezia epidurale (PDA) kundër dhimbjeve gjatë lindjes

Gratë që lindin fëmijën e tyre për herë të parë, në veçanti, nuk mund ta vlerësojnë ende se si trupat e tyre do t’i trajtojnë dhimbjet gjatë lindjes dhe si do t'i përballojnë vetë ato.

Nëse një lindje zgjat shumë, bëhet bllokim dhe gruaja që po lind tashmë është shumë e rraskapitur dhe e lodhur, departamenti i obstetrikës mund t'u ofrojë grave që kanë dhimbje të lindjes një PDA. Ky është një anestetik që mund ta lehtësojë gruan që ka kontraksione apo dhimbje të lindjes.

Anestezioni PDA, është qetësues i dhimbjeve që injektohet në zonën midis vertebrave të shtyllës kurrizore duke përdorur një kateter të hollë. Në fundin e fibrave nervore të kanalit kurrizor, anestezioni ndikon që gruaja të ndjej më pak dhimbje në zonën e poshtme të legenit. Megjithatë, nëna e ardhme mund të ketë kontraksionet e lindjes nën anestetikë, ndërsa nuk ndjen dhimbje.

Ashtu si me të gjitha ndërhyrjet mjekësore, ka edhe kufizime, rreziqe dhe efekte anësore me anestezionin PDA. Prandaj, edhe këtu, duhet të peshohen përparësitë dhe dobësitë. Flisni me maminë ose mjekun tuaj për këtë mundësi të zvogëlimit të dhimbjes dhe merrni të gjitha informatat e nevojshme para se të merrni vendimin rreth kësaj.

Këshillë e mamisë

“Ndoshta, ju do ta mendoni rrjedhën e lindjes dhe çfarë do të ishte mirë për juve gjatë lindjes.

Këshilla ime është t’i lini të gjitha të vijnë vetvetiu. Në situatën e caktuar dhe në konsultim me maminë tuaj, vendosni se çfarë dëshironi të bëni (p.sh. të shtriheni në vaskë, të bëni një shëtitje, të merrni qetësues kundër dhimbjeve, ...). Nëse dëshironi të zbatoni një plan të përkufizuar më parë dhe për ndonjë arsye nuk mund ta zbatoni, kjo mund t'ju hutojë dhe të sjell në situatë të veçantë e cila nuk ju duhet. Merruni me lindjen tuaj. Do ta zotëroni mirë atë”. Dorothee Kutz, mami

Informata për autoren:

Juliane Jacke-Gerlitz është infermiere e licencuar. Ajo ka dhënë Këshilla për Nënat dhe gjidhënien për më shumë se dhjetë vjet. Ajo aktualisht punon si shkrimtare për temat mjekësore dhe këshilltare psikologjike. Juliane Jacke-Gerlitz është e martuar qe 22 vjet, është nënë e tetë fëmijëve dhe jeton me familjen e saj në Halle.